Artikull – 5 gjërat që mund të bësh në Korçë

Një fundjavë në Korçë nuk është e mjaftueshme për të eksploruar një prej rajoneve më të pasura të vendit. Megjithatë gjatë qëndrimit tuaj në Check-in Fest Korça, ne ju sygjerojmë ta shfrytëzoni kohën dhe të shijoni disa prej aktiviteteve që nuk duhen humbur në “Parisin e Vogël”.


1. Shijo jetën në Pazarin e Vjetër
Çdo orë e ditës është orë e përshtatshme për të shkuar në Pazar. Këtu është zemra e qytetit, vendi ku do të gjesh gjithmonë diçka për të bërë. Nëse do të pish kafen e mëngjesit, të hash një drekë të shijshme apo të pish një gotë në darkë teksa dëgjon muzikë të mirë, Pazari është një zgjedhje që nuk të zhgënjen kurrë.  

2. Shijo qytetin nga maja e Kullws sw Kuqe

Ngjitu deri në katin e tetë në majë të Kullës së Kuqe dhe do të kesh Korçën në pëllëmbë të dorës. Para teje do të zbulohet një panoramë 360° nga ku mund të shohësh qytetin dhe malet që e rrethojnë. Pamja që të lë pa frymë është akoma më e mrekullueshme nëse e sheh gjatë perëndimit.

3. Një shëtitje në Parkun Rinia

Nëse të pëlqejnë ecjet në natyrë, Parku Rinia, i njohur ndryshe dhe si mushkëria e qytetit, është fiks për ty. Shëtit herët në mëngjes ose bëj një xhiro në mbrëmje në këtë park romantik, të gjelbëruar dhe të mbushur me skulptura urbane. Të jesh i sigurt që kjo është arratisja perfekte nga zhurma dhe trafiku i qytetit.  

4. Një xhiro në rrugicat Korçare.

Një shëtitje në rrugicat e fshehura të qytetit do të të zbulojë Korçën e vërtetë.  Sigurohu që telefonin ta kesh plot me bateri për të bërë foto, sepse sokaket me vila të vjetra, të vendosura njëra pas tjetrës janë një bukuri që s’duhet humbur.  

5. Udhëtim të shkurtër në fshat

Merr makinën dhe nisu për disa orë në drejtim të fshatrave përreth, si Dardha apo Voskopoja. Shijo natyrën malore dhe vizito kishat mbresëlënëse. Koha është e shkurtër për t’i parë të gjitha, ndaj zgjidh njërën prej tyre dhe kthehu sërish në Korçë për të vizituar të fshtra të tjerë dhe bukuri të tjera. 

This will close in 20 seconds