Zonat për Zhvillimin e Biznesit – BID, janë partneritete publiko-private të krijuara si organizata me mbështetje publike, por me menaxhim privat. Ato kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe përmirësimin ekonomik të sipërmarrjeve në lagjet tregtare qytetëse. Qëllimi kryesor i një BID-i është përmirësimi i mundësive ekonomike, sigurisë dhe krijimi i një klime biznesi bashkëpunuese mes anëtarëve të komunitetit të biznesit. Administrimet e suksesshme të zonave BID shkojnë përtej përmirësimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës, ato krijojnë një bashkësi sipërmarrësish, stimulojnë rritjen e aktivitetit tregtar dhe rrisin vlerën e pronës në zonë. BID-et e sukseshme mund të rigjallërojnë qendrat e qyteteve dhe mund t’i bëjnë ato më tërheqëse për vizitorët e turistët. Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim – AADF ka ndihmuar komunitetin e biznesit dhe bashkitë përkatëse në krijimin e shoqatave BID dhe ka ofruar investime përmirësuese në zonat BID si dhe grante e shërbime këshilluese për bizneset në zonë. AADF e zbaton projektin “BID Shkodra” në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër përgjatë rrugëve “28 Nëntori”, “13 Dhjetori” dhe “Kolë Idromeno”. Shoqata BID Shkodra dhe Bashkia bashkëpunojnë për të organizuar veprimtari, të cilat përfshijnë komunitetin dhe promovojnë zonën.
Shtrirë në Piacën e dikurshme, në qendër të qytetit, BID – Zona për Zhvillimin e Biznesit Shkodër, ka bërë bashkë sipërmarrësit e vendosur në këtë hapësirë publike me qëllim promovimin dhe begatimin e bizneseve të tyre. Shoqata BID Shkodra ka nisur veprimtarinë në vitin 2013, pas përmirësimit infrastrukturor që përfitoi zona falë investimit të AADF-së dhe Bashkisë Shkodër. BID Shkodra synon të ndërtojë një klimë biznesi që i shkon për shtat këtij përmirësimi infrastrukturor, duke nxitur bashkëpunimin dhe promovuar një qasje bashkëkohore të të bërit biznes. Një gamë e gjerë dhe e larmishme shërbimesh e produktesh akomodohen në njësitë tregtare në zonën BID. Bukurisë së ndërtesave karakteristike qytetare u vishen biznese shërbimi shumë interesante, si edhe emra të njohur në fushën e modës si LC Waikiki, Max Optika apo Perla. Përgjatë gjithë kësaj zone dedikuar njerëzve ju mund të gjeni “shijen e Shkodrës”. Ditë-netët e fundjavës aty ofrojnë një larmi zgjedhjesh si Retro Pub, Bllok Coffe, Fontana Bar Restorant, Shamrock Irish Pub, Country Club, etj. Nëse jeni në kërkim të një atmosfere të ngrohtë mes miqsh, për një darkë ose një gotë verë, nën ritmet e ahengut shkodran, mund të ndaleni në Bar Restorant Cliché, apo Restaurant San Francisko, mund të rehatoheni tek Sofra apo t`i gëzoheni freskut në Oborrin Shkodran. Mund ta lini si thuhet “ambëlcinën” për në fund, shijojeni atë në pasticeritë më të njohura të zonës BID si pasticeri Bell’Italia, Rinia apo tek e ambla Flo. Ju mjafton të ecni për të shijuar gjallërinë e zonës BID. Në kafenetë përgjatë saj si Karma Coffe, Chicago Bar, Indipendent Bar, Centro, apo Flaer-i, mund të gjeni patjetër një revistë, gazetë apo libër me të cilin mund të kaloni pak kohë me veten dhe kafen tuaj. Në zemren e zemrës së Shkodërs gjeni Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi, një destinacion për të mos u humbur. Përtej fasadës historike në godinën e restauruar së fundmi, do të gjeni një hapësirë bashkëkohore që ruan dhe ekspozon thesaret e fotografisë shqiptare. Dinastia e Marubëve shpalos në muret e muzeut dëshmi të shumëçkaje në realitetet ballkanike të dy shekujve të shkuar. Studiot dhe galeritë e piktorëve më në zë të qytetit do t`i gjeni aty karshi, duke plotësuar kështu itinerarin e vizitës tuaj me të bukurën që ju servirin pasardhësit e Kol Idromenos, Simon Rrotës e Lin Delisë.
Mbi 30 aktivitete kulturore dhe artistike që organizohen në qytetin e Shkodrës shkelin në zonën BID. Në 2 km rrugë këmbësore parakalojnë “Karnavalet”, “Dita e Luleve”, “Festat e Nëntorit dhe të Fundvitit”, ndihet “Festivali Mbarëkombëtar i Fëmijëve”, “Festivali i Muzikës Jazz”, “Mbrëmjet verore të muzikës” shpaloset tradita në “Ditën e Artizanëve dhe Zejeve”, zhurmon “Vespa dhe miqtë”, e ndriçon “Festivali i dritave”. Tek ne ju pret një festë në çdo stinë të vitit të cilat ftojnë t`u bashkohen jo vetëm vizitorë vendas por edhe shumë turistë të huaj. Festat flasin për traditën dhe qytetarinë e Shkodrës dhe kombinohen shumë bukur me eventet e organizuara gjatë fundjavave në njësitë e biznesit BID nga shoqata, me synim gjallërimin e zonës. BID Shkodra, përveç gjallërisë, gjeneron edhe ide dhe praktika të reja të përfshirjes. Ajo kujdeset të masë përformancën e saj dhe të zonës duke angazhuar studentë vullnetarë në realizimin e pyetësorëve që ofrojnë informacion mbi qasjen e qytetarëve dhe bisneseve për të. BID është gjithmonë në lëvizje dhe mbështet sipërmarrësit që duan të investojnë, e të zhvillojnë ide të reja biznesi në zonë. Mos u largoni nga Shkodra pa marrë me vete shijen e hollë të traditës shumëvjeçare. Ju sugjerojmë të vizitoni dyqanin Suvenir Albania dhe Suvenir Shop dhe të ndaleni e të njiheni me Qëndistari Artën – një nga qëndistaret më të vjetra të qytetit tonë. Prodhime tipike shqiptare që përcjellin denjësisht brez pas brezi traditën do të jenë suveniri më i bukur që do t`ju kujtojë Shkodrën e luleborave, traditës, artit dhe jetës së bukur.