5 Gjëra që mund të bësh në Gjirokastër

Fundjava jote në Check-in Gjirokastra mund të jetë shumë më interesante nëse merr pak orë për të eksploruar “Qytetin e Gurtë”. Ka shumë gjëra që mund të bësh midis njërit aktivitet dhe tjetrit. Megjithatë, ne po listojmë 5 prej aktiviteteve tona të preferuara.

Ngjitje në Kala

Nëse nuk ke qenë asnjëherë lart në Kala, atëherë nuk ke qenë asnjëherë në Gjirokastër. Përveçse e vendosur në një pozicion që të ofron qytetin në pëllëmbë të dorës, kjo kala mbresëlënëse është një pasuri e vërtetë kombëtare. Në muret e kështjellës së vjetër të Argjiros do të mund të vizitosh ndër të tjera dhe muzeun e Armëve.

“I Ftuar” në Shtëpitë Gjirokastrite

Nëse endesh nëpër sokaket e Gjirokastrës nuk mund të humbasësh rastin për të vizituar shtëpitë monumente të qytetit të vjetër. Këto kulla shekullore ngrihen krenare dhe elegante. Vizito shtëpi si ajo e Zekateve, Skënduli apo Babameto dhe zbulo kthinat ku jetonin gjirokastritët e para 200 viteve.

Ekskursion në Urën e Ali Pashë Tepelenës
Për këdo që ka dëshirë të bëjë hiking në natyrë, ky udhëtim i shkurtër për te Ura e Ali Pashë Tepelnës është aktiviteti ideal. Mbetjet e akuaduktit që dikur furnizonte me ujë sterën e Kalasë, sot janë një atraksion turistik, vetëm 40 min larg qytetit. Ndaj, vish këpucë të rehatshme dhe nisu! 

Vizitë në Manalat

Larg zhurmës së Pazarit të Vjetër ngrihet lagjja monument e Manalatit. E rrahur nga dielli, ky “ballkon” i gjelbëruar ngjan me një tarracë nga ku mund të shijosh panoramën përballë teje.

Nëse je me fat, ndonjë banor i lagjes do të të bashkohet me një filxhan kafeje, pak raki dhe biseda interesante.

Shijo Kuzhinën Gjirokastrite
Pavarsisht shijeve që ti ke, një gjë është e sigurt, në Gjirokastër nuk mbetesh asnjëherë pa ngrënë. Me një shumëllojshmëri restorantesh të vogla, qyteti të ofron kuzhinë të shijshme të bërë me prodhime vendase. Për t’u provuar është padiskutim Qifqija, një gatim tradicional i zonës. Por kujdes, në fund lërë vend dhe për pak embëlsirë.