Artikull – 5 gjërat që mund të hash në Korçë

Drekë me kërnacka dhe lakrorë

Harroje dietën për 3 ditë dhe zhytu në kënaqësinë e kuzhinës korçare. Çfarë të provosh më parë? Kërnacka, lakror apo petulla të fshira? Nëse ke vend në stomak, të gjitha! Asgjë nuk shijon më shumë në këtë qytet se sa pjatat tradicionale të gatuara nga vetë korçarët plot shije dhe dashuri. Na beso! Nuk do të pendohesh.

1. Lakror në Saç

Vendi më i mirë për të provuar lakror janë padyshim fshatrat turistike. Megjithatë, nëse nuk ke kohë të shkosh deri në Voskopojë apo Dardhë, bujtinat e Korçës ofrojnë lakror po aq të shijshëm. I pjekur në saç, me qepë e domate, spinaq apo hithra, lakrori është një prej gatimeve të preferuara të vizitorëve shqiptar dhe të huaj në Korçë.

2. Kërnacka
Zgarat e vërteta korçare që bëjnë kërnacka për të lëpirë gishtat janë ato që ndodhen në Korçë. Këto qofte tradicionale korçare mund t’i gjesh në çdo restorant të qytetit. Por, nëse do t’i shijosh ashtu siç duhet, atëherë duhet t’i shoqërosh me sallatra të ndryshme dhe birrë.

3. Byrek me fasule

E dimë, nuk ka ardhur ende dimri. Por është mëkat të largohesh nga Korça pa provuar byrekun me fasule. Nëse pastaj është i gatuar me peta të bëra vetë, të sygjerojmë të marrësh dhe ca me vete. Byreku i thjeshtë me pak përbërës, ka një shije shumë të pasur.

4. Petulla të fshira

Sigurisht që “Parisi i Vogël” ka dhe versionin e tij të krepave francez… ose diçka e tillë. Petullat e fshira, të përshtatshme për t’u ngrënë në çdo orë të ditës, behën në tigan të “fshirë” me pak gjalpë. Kjo pjatë, ose ndryshe “kjo bombë shijesh dhe kalorish”, shoqërohet më djathë dhe hudhër.

5. Paçavure

Nëse ende nuk je ngopur duke ngrënë brumra, atëherë mere dhe një Paçavure. Po, po! E lexuat mirë. Kjo ëmbëlsirë tradicionale Korçare i ngjan vërtetë një paçavureje – nga ka marrë dhe emrin, por të jeni të sigurt vetëm për nga pamja. Shija e saj është aq e mirë dhe e veçantë sa do t’ju bëjë ta kërkoni sa herë riktheheni në Korçë.

This will close in 20 seconds