TID Gjirokastra – Pazari i Gjirokastrës

Çfarë janë BID/TID?

Zonat për Përmirësimin e Biznesit (BID) dhe Zonat për Përmirësimin e Turizmit (TID) janë shoqata biznesi, në të cilat pronarët e bizneseve të një zone, si dhe aktorët e tjerë të zhvillimit (si psh Bashkia,  Organizatat jo-Qeveritare ) bëhen së bashku për të kryer ndërhyrje me qëllim përmirësimin dhe zhvillimin ekonomik-social të zonës së përzgjedhur. Aspektet kryesore të ndërhyrjes janë përmirësimi infrastrukturor dhe restaurimi në ndërtesa dhe hapësira publike, si dhe aktivitete me qëllim zhvillimin e biznesit,  shërbime marketingu dhe shërbime publike shtesë për zonën.

BID-et e para u krijuan në Toronto, Kanada rreth 40 vjet më parë. Sot ka më shumë se 1.000 zona BID në vetëm në Amerikën e Veriut. Ligje të cilat rregullojnë veprimtarinë e modelit BID janë hartuar në Amerikën e Jugut, Australi dhe Evropë.

BID i parë në Shqipëri është krijuar në vitin 2011 me iniciativën e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Aktualisht janë 8 (tetë) BID / TID në zona të ndryshme (urbane ose turistike) në disa nga qytetet më kryesore të Shqipërisë. Ligji shqiptar për BID është aktualisht duke u diskutuar në Parlamentin Shqiptar.

Shoqata TID Gjirokastra

Në vitin 2016, Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit (AADF) me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare dhe Bashkisë Gjirokaster filloi restaurimin e ndërtesave (fasadat dhe çatitë) në Pazarin e Vjetër të Gjirokastrës (Qafa e Pazarit). Projekti i restaurimit u financua plotësisht nga AADF dhe ka përfunduar punimet në Maj 2018.

Shoqata TID u krijua në Nëntor 2017 pas një marrëveshje bashkëpunimi mes AADF, Bashkisë Gjirokastër, Ministrisë së Kulturës dhe pas një seri konsultimesh të ndryshme me bizneset e vendosura në zonën e Qafës së Pazarit Gjirokastër.

Organizata drejtohet nga bordi i shoqatës, me pesë anëtarë nga sektori i biznesit, një përfaqësues nga AADF dhe një përfaqësues nga Bashkia. Ekipi i TID është përgjegjës para Bordit të Shoqatës për shpërndarjen e buxhetit vjetor dhe planit të aktiviteteve të TID.

Aktiviteti i TID financohet si fillim nga fondet e AADF për aktivitetet specifike dhe nga tarifat e Bashkisë (tarifat vjetore të ndriçimit dhe pastrimit), të cilat paguhen nga bizneset e zonës TID dhe transferohen nga Bashkia Gjirokastër tek Shoqata TID.

Në Dhjetor 2018, Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve të Shoqatës propozoi dhe votoi në favor të një tarife vullnetare anëtarësimi e cila do të përdoret për financimin  e aktiviteteve të shoqatës në zonë.

Objektivat e TID Gjirokastër

Synimi kryesor i TID është që të sigurojë vlerë të shtuar për të gjithë anëtarët e tij në lidhje me çështjet dhe objektivat, për të cilat palët angazhohen, objektiva të miratuara e dakordësuara nga bizneset gjatë periudhës së konsultimit.

  • Shtimi i numrit të vizitorëve në zonë, gjatë sezonit turistik si dhe jashtë sezonit, duke përdorur kalendarin e aktiviteteve të festivaleve dhe ngjarjeve të tjera publike
  • Përmirësimi dhe mbajtja e standardeve mjedisore
  • Rritja e profilit të zonës përmes partneriteteve të fushës së turizmit, partneriteteve me palë të tjera të interesuara, si dhe marrëdhëniet me publikun (PR).
  • Rritja e komunikimit dhe bashkëpunimit në të gjithë komunitetin e biznesit.
  • Sigurimi dhe lehtësimi i bashkëpunimit me autoritetet publike të qytetit, duke përfshirë Bashkinë Gjirokastër, etj.
  • Që prej fillimit të aktivitetit, TID ka ofruar shërbime në zonë, ka zhvilluar aktivitete të ndryshme, duke mundësuar pjesëmarrjen e qindra mijëra vizitorëve në aktivitete publike, ka siguruar një promovim mediatik të konsiderueshëm si dhe ka ndërtuar dhe mbajtur partneritete të qëndrueshme mes palëve në zonë.
  • Së bashku me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka mbështetur bizneset e zonës TID me grante dhe projekte interireri profesionale, në mënyrë që të përmirësojnë objektet e tyre të biznesit, për të ofruar një shërbim sa më cilësor.

Ndërsa Pazari i Gjirokastrës po rritet me infrastrukturën e tij të përmirësuar, me bizneset e reja dhe zhvillimet kulturore, TID po shfrytëzon momentumin dhe vëmendjen pozitive që ka marrë zona për të parë më tej, në të ardhmen.

Puna në partneritet

Partneritetet janë tejet të rëndësishme për suksesin e TID Gjirokastra. Krahas bashkëpunimit me Fondacionin Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit (AADF), Bashkinë Gjirokastër, Ministrinë e Kulturës, Institutin e Monumenteve të Kulturës, etj., ne jemi pjesë e rrjetit kombëtar të BID/TID, si dhe bashkëpunojmë me organizata të ndryshme lokale dhe rajonale për realizimin e qëllimeve të përbashkëta.

Fokusi i punës sonë është të mbështesim zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të zonës së Pazarit të Vjetër të Gjirokastrës duke sjellë së bashku anëtarët tanë me partnerët e sektorit publik me qëllim që ta bëjmë Pazarin e Vjetër, vendin më interesant, më tërheqës dhe më të zhvilluar për të jetuar, punuar dhe për t’u vizituar.

Anëtarët e shoqatës TID Gjirokastra

Zona e Zhvillimit të Turizimit, TID Gjirokastra, është një konsorcium i më shumë se 100 bizneseve të vendosura në zemër të Pazarit të Vjetër të Gjirokastrës, një vend i mbrojtur nga UNESCO që nga viti 2005 dhe gjithashtu një nga zonat turistike më të vizituara në Shqipëri.

Bizneset lokale të kësaj zonë janë të orientuara drejt turizmit dhe përfshijnë:

  • Hotele dhe shtëpi pritjeje për vizitore
  • Restorante dhe bar-kafe
  • Dyqane suveniresh
  • Dyqane Artizanësh
  • Sektori i shërbimeve